image “Me këto masat e reja krejt dojnë me e bo përnjëherë”, drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë arsyeton tollovinë e krijuar në Qendrën e Vaksinimit

Shëndetësi

“Me këto masat e reja krejt dojnë me e bo përnjëherë”, drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë arsyeton tollovinë e krijuar në Qendrën e Vaksinimit

news image

Ndonëse shumica e qytetarëve po i caktojnë terminet për tu vaksinuar atyre po u duhet që të presin gjatë para hyrjes së qendrave të vaksinimit për të kryer shërbimin për të cilin kanë shkuar, shkruan Gazeta Sinjali.

Një pritje e tillë është krijuar sot në Qendrën e vaksinimit në Komunën e Gjakovës.

Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali ka njoftuar se në këtë qendër nuk po respektohet orari i termineve dhe sipas këtij sinjalizuesi brenda qendrës po futen edhe personat që nuk kanë termine.

Tutje sinjalizuesi ka shtuar se askush nga personat përgjegjës nuk i pyet për termine qytetarët që gjenden para hyrjes së kësaj qendre vaksinimi.

“Si vet kërkush për termin. Derisa ne me termine trajtohem njejtë”, tha ky sinjalizues për Sinjalin.

Ky sinjalizues ka thënë se terminin e ka pasur në orën 15:50 mirëpo që sipas tij pavarësisht se ka kaluar ora e caktuar për termin ai po pret ende jashtë qendrës.

“Ka njerëz me ore që presin”

“Mua më kanë njoftuar për në 15:40 terminin, po qetu edhe 40 minuta kam me u kon”, ka shtuar sinjalizuesi.

Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali ka dërguar një video ku shihet tollovia e krijuar para qendrës së vaksinimit në Gjakovë, si dhe shihen njerëzit që nuk respektojnë distancën dhe nuk mbajnë maska gjatë pritjes së tyre.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtoreshën komunale të Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu, e cila ka thënë se kjo tollovi po krijohet për shkak se njerëzit po shkojnë edhe pa termine në këtë qendër.

Po janë shku edhe pa termine aty presin tollovi e madhe normal që ju bjen me pritë po shkojnë edhe pa termine“, ka thënë ajo për Sinjalin.

Tutje Spahiu ka shtuar se kjo është edhe një nga arsyet se pse qytetarët që kanë bërë termine po presin më gjatë sesa që duhet.

“Deri sa shkojnë pa termine edhe presin normal që edhe ktyne me temrine ju bjen me pritë, vetëm dje janë bërë 1 mijë e 524 vaksina edhe është ngarekesë shumë e madhe“, ka shtuar ajo.

Sipas saj masat e reja të qeverisë kanë ndikuar që të shtohet numri i personave që kërkojnë të marrin vaksinën, si dhe ka shtuar se pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk po arrijnë që ta ndalin tollovinë.

Se qetash me këto masat e reja të ministrisë ton po dojnë me e bo përnjëherë edhe normal që krijohet tollovi. Nuk është në dorën tonë nuk mundesh me i ndal qytetarët. Është e pamundshme, na jemi duke u mundu me polici me mbajt rendin po është e pamundshme me i kthy njerëzit nuk kthehen presin qaty edhe pa e bo.

Është ngarkesë për punëtoret shëndetësorë se për rata që po presin pa termin nuk kemi pse me i arsyetu pse presin“, tha ajo për Gazetën Sinjali.

/Gazeta Sinjali/