image Me armë dhe maska grabitën para, arrestohen tre persona në Prishtinë

Kosovë

Policia/ Me armë dhe maska grabitën para, arrestohen tre persona në Prishtinë

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona me iniciale Sh.Sh., E.Sh., H.O., të dyshuar për grabitje të armatosur në Prishtinë.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Isa Kastrati”, persona të maskuar dhe të armatosur, me forcë kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash nga viktima i cili po transportonte paratë e një dyqani.

Gjatë aksionit janë sekuestruar tri automjete, dy pushkë gjuetie, një telefon, një sasi të parave si dhe gjësende të ndryshme të cila shërbejnë për ndriçim, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

 “Drejtoria Rajonale e Policisë  në Prishtinë, respektivisht Njësiti për Hetime të Përgjithshme, ka realizuar një operacion qe ka rezultuar me arrestimin e tre personave te dyshuar për grabitje të armatosur”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rasti ka ndodhur më datën 10.02.2020 në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët me forcë ( duke i shkaktuar lëndime viktimës), kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash nga viktima i cili po transportonte paratë e një dyqani në rrugën e sipërshënuar. Që nga dita e raportimit hetuesit policor të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë  të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar. Aksioni i realizuar sot nga njësiti i Hetimeve te Përgjithshme, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar”, shton ajo.

Pas intervistimit personat e  dyshuar me aktvendim te prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh. /Gazeta Sinjali/