Pak më parë Gazeta Sinjali raportoi se Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovë kanë kryer aksion në Graçanicë, Fushë Kosovë dhe Lipjan në lidhje me shtrenjtimin e disa produkteve. Madje gjatë ditës bujë bëri edhe ngritja e çmimit të vajit, litri i të cilit u shit për 3.49 euro.
Në lidhje me këtë aksion, Sinjali kontaktoi me kryeinspektoren e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lebibe Haliti, e cila konfirmoi se janë mbyllur depot e dy operatorëve ekonomikë.
“Inspektorati i Tregut në orët e vona ka mbyllur dy depo të dy bizneseve të mëdha që kanë pika të shitjes në shumë vende nën dyshimin se kanë mashtruar në lidhje me çmimet për disa produkte“, ka thënë ajo.
Haliti njoftoi se njëra nga depot gjendet në Suhodoll e tjetra në Fushë-Kosovë.
Depoja që u mbyll në Suhodoll është ajo e Viva Fresh Store, ndërsa ende nuk është bërë publik emri i biznesit të depos së dytë.
Siç raportohet në depon e Viva Fresh u gjetën rreth 100 mijë litra vaj të cilat janë fshehur.
Ky vendim nga Inspektorati i Tregut u mor pasi dyshohet se këto biznese kanë mashtruar blerësit në lidhje me çmimet e disa produkteve.
Sot Gazeta Sinjali raportoi se si Viva Fresh e kishte rritur çmimin për rreth një euro brenda 20 minutave, nga 2.59 në 3.49 euro.
Ndërsa pas orës 18:00 vetë Viva Fresh Store deklaroi se çmimi i vajit tash e tutje do të jetë 1.95 euro.
“Viva Fresh Store ka vendosur që ta subvencionojë çmimin e vajit në të gjitha pikat e saja në krejt Kosovën! Nga SOT, çmimi i vajit do të jetë 1.95 cent“, thuhet në njoftim.