image Mashtrimi për viza pune e grante të ministrisë, vëllezërit Cakiqi dyshohet se përfituan rreth 20 mijë euro

Siguri

Mashtrimi për viza pune e grante të ministrisë, vëllezërit Cakiqi dyshohet se përfituan rreth 20 mijë euro

news image

Një 43-vjeçar ka rënë dje në prangat e Policisë pasi dyshohet se ka mashtruar së paku dy persona, duke ua marrë rreth 20 mijë euro, në vitin 2020, në këmbim të vizave të punës e granteve të Ministrisë së Bujqësisë. Faton Cakiqi u ndalua për 48 orë si i dyshuar për këto dy raste, ndërkohë që viktimat që kanë rënë pre e mashtrimit të tij kanë deklaruar se ai ka bashkëvepruar me një person tjetër  për t’i vënë në kurth. Sinjali ka mësuar se Policia ka zbuluar se kush është personi me të cilin Faton Cikaqi dyshohet se bashkëpunoi për t’i mashtruar qytetarët.  

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pas veprimeve hetimore të Policisë, është identifikuar personi i dyshuar. Bëhet fjalë për vëllain e Fatonit, Shpejtim Cakiqin, i cili gjendet në Qendër të Paraburgimit lidhur me një rast.

Çka deklaroi Faton Cakiqi për dyshimet se bashkëveproi me vëllain e tij?

Sinjali mëson se dy viktimat që ranë pre e mashtrimit kanë deklaruar se Faton Cakiqi iu ishte prezantuar me një dokument të shtetit zviceran, si Agron Dervishi, duke ua marrë 19 mijë e 500 euro, me premtimin se u ndihmon në rregullimin e dokumenteve.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, me ç’rast e ka mohuar se ka bashkëpunuar me vëllain e tij, për t’i mashtruar qytetarët, gjoja se u ndihmon për viza pune dhe grante.

Si u raportua rasti dhe kur u zbulua i dyshuari?

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se fillimisht më 6 prill të këtij viti, ishin raportuar në stacioni policor “Jugu”, në Prishtinë, dy raste të mashtrimit, njëri për viza, ndërkaq tjetri në lidhje me grantet e një ministrie.

Rasti i parë i denoncuar

Njëri nga denoncuesit kishte njoftuar Policinë se ka qenë ndërmjetësues për disa persona, për rregullimin e vizave të punës për Slloveni, me ç’rast kishte lidhur marrëveshje me një person që do ta kryente këtë ‘shërbim’. Për rregullimin gjoja se të vizave të punës, viktima kishte paguar 9 mijë e 500 euro në vitin 2020. Por që nga ajo kohë deri në ditën e denoncimit, personi që premtonte ‘ndihmë’ ishte zhdukur, duke i lënë qytetarët hallexhinj edhe pa viza, edhe pa para.

Detajet e rastit të dytë

Sipas të njëjtave burime brenda Prokurorisë, i dyshuari Faton Cakiqi, në të dy rastet ishte prezantuar me një emër tjetër, duke mashtruar dy qytetarë. Personi i dytë që ra viktimë e tij, ka deklaruar në Polici, se i dyshuari ishte prezantuar me një dokument të shtetit zviceran, duke i premtuar se mund të fitojë një grant të Ministrisë së Bujqësisë, për çka ankuesi ka paguar një shumë të majme, prej 10 mijë eurosh. Por përveç shumës së parave, viktima e këtij rasti kishte blerë edhe material ndërtimor, të cilin ia kishte dhënë të dyshuarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/