image “Mallkimi i numrit 9”, Giroud rrezikon duke pranuar ta vesh

Futboll

“Mallkimi i numrit 9”, Giroud rrezikon duke pranuar ta vesh

news image

Olivier Giroud ka firmosur zyrtarisht kontratën që do ta mbajë të lidhur për dy sezone me Milanin dhe më pas i ka hipur avionit për t’u larguar sërish nga kryeqendra ekonomike e Italisë, pasi do të vijojë pushimet e ndërprera në mes pak ditë më parë.

Sulmuesi i angazhuar me Francën në Euro 2020 do të rikthehet sërish në Milano më 26 korrik, për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Pioli, me të cilin ka pasur edhe një bisedë paraprake pasditen e djeshme, teksa ka vendosur të sfidojë “mallkimin e numrit 9”, duke zgjedhur pikërisht këtë numër në fanellë.

Që prej largimit të Filippo Inzaghit, numrin 9 kanë provuar ta mbajnë veshur shumë sulmues, duke filluar me Alessandro Matrin, për të vijuar më pas me Fernando Torres, Mattia Destro, Luiz Adriano, Gianluca Lapadula, Andre Silva, Gonzalo Higuain, Piatek dhe së fundi Mandzukiç.

Të gjithë këta futbollistë kanë dështuar të shfaqen në lartësinë e kërkuar prej një numri 9 në fushë, pasi kanë shënuar shumë pak dhe janë larguar shpejt nga Milani, pa arritur të lënë gjurmë.

Megjithatë sulmuesi 34-vjeçar francez, Olivier Giroud nuk trembet aspak nga “mallkimi i numrit 9” dhe zotohet ta thyejë njëherë e mirë atë, ndërsa tani vetëm koha do të tregojë nëse ka bërë zgjedhjen e duhur apo jo.  /Gazeta Sinjali Sporti/