image LVV e akuzon LDK-në se i rinovoi zyrat edhe pse Komuna ia refuzoi lejen: Ky është skandal - Sinjali

LVV e akuzon LDK-në se i rinovoi zyrat edhe pse Komuna ia refuzoi lejen: Ky është skandal

news image

Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkelje ligjore gjatë rinovimeve të kryera në zyrat e saj në Prishtinë.

Lidhur për këtë asamblisti i LVV-së, Arianit Beqiri e ka quajtur skandal të LDK-së dhe Komunës së Prishtinës.

“Ky është një skandal i LDK-së dhe komunës së Prishtinës. Në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal e kemi pyetur kryetarin lidhur me rinovimet që janë bërë në objektin te Qafa dhe kështu na është përgjigjur ai: ‘Sa i përket fasadës tek Qafa, nëse ai proces nuk ka leje, hiqet, mirëpo ato intervenime tash duhet të jenë me karakter të asaj ndërtese. Duhet në relacion me trashëgiminë kulturore arkitektonike. Pra, nëse aty ka diçka ilegale, ato do hiqen, nuk ka lidhje e kujt është ajo ndërtesë’”, citoi Beqiri të ketë thënë Rama.

Kërkesa për leje në komunë, Beqiri tha se LDK-së i ishte refuzuar.

“Ne kemi kërkuar të shohim nëse LDK ka aplikuar për leje. Dje kemi marr një email lidhur më këto punime, ato janë pa leje, ku është refuzuar kërkesa për këto ndërhyrje”, tha Beqiri në një konferencë për media.

Siç tha ai, LDK-ja kishte aplikuar për leje ndërtimore dhe leje rrënimi më 6 maj 2021.

“Më datë 10.08.2021 kjo kërkesë është refuzuar. Punimet janë kryer në janar 2022”, tha ai.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin