Luftanija ruse Moskva është fundosur në Detin e Zi, pas dëmtimeve që ka pësuar gjatë operacionit ushtarak në Ukrainë, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes në orët e vona të 14 prillit.
Ministria ka thënë se anija është fundosur derisa ka qenë duke u tërhequr në port për t’i ikur një stuhie.
Ky institucion ka thënë se anija është dëmtuar rëndë gjatë luftimeve, derisa edhe zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat e tyre kanë goditur anijen me raketa.
“Anija ka humbur balancën si pasojë e zjarrit dhe më vonë municioni ka shpërthyer”, ka thënë Ministria sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
“Duke marrë parasysh detet e trazuara, anija është fundosur”.
Humbja e anijes, e cila mban emrin e kryeqytetit rus, është parë si humbje simbolike për Moskën, e cila veçse ka tërhequr forcat e saj nga pjesa veriore e Ukrainës më herët gjatë këtij muaji.
Anija Moskva ka mbajtur 16 raketa lundrimi me rreze të gjatë dhe humbja e saj do të zvogëlojë kapacitetet e Rusisë për të nisur sulmet nga Deti i Zi.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë fillimisht se zjarri e ka nxitur shpërthimin e municionit dhe më pas ekipi është evakuuar.
Ajo e ka mohuar se anija është sulmuar, raporton REL.
Mirëpo Maksym Marchenko, guvernator ukrainas për rajonin rreth Odeseas dhe Detit të Zi, ka thënë se anija është goditur nga dy raketa ukrainase Neptun.