Zlatan Ibrahimoviq e pësoi një lëndim në gju në fitoren e Milanit 3:0 kundër Juventusit dje (e diele), duke e vënë në dyshim paraqitjen në EURO 2020 këtë verë me Suedinë, përcjell Sinjali Sport.
Sulmuesi i Milanit u detyrua ta lëshojë fushën në pjesën e dytë në “Allianz Stadium”, pasi e lëndoi gjurin e majtë.
Suedezi po luftonte për një top në mesfushë kur u dëmtoi gjurin në rrëzim e sipër. Ai duroi dy minuta në fushë, por përfundimisht u detyrua të zëvendësohej nga Ante Rebiq.
Golat nga Brahim Diaz, Rebiq dhe Fikayo Tomori ia siguruan Milanit një fitore vendimtare ndaj Juves në garë për një vend në Ligën e Kampionëve.
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Stefano Pioli, zbuloi se Ibra nuk kishte qenë plotësisht i gatshëm as për këtë ndeshje.“Ibra nuk ishte i shëndoshë para ndeshjes, ai ndien dhimbje në gju dhe shpresojnë se nuk është shumë serioze”, tha Pioli.
Nuk janë dhënë detaje rreth lëndimit të tij, prandaj mbetet pikëpyetje e madhe se sa gjatë do të mungojë Ibrahimoviqi. Ai ka pasur disa lëndime serioze në gju gjatë karrierës së tij.
Synimi i Ibrahimoviqit këtë vit ka qenë të luajë për Suedinë në EUEO 2020, që mbahet këtë verë, por ky lëndim mund t’ia rrezikojë atij paraqitjen për kombëtaren, duke e ditur moshën dhe lëndimet që e kanë përcjell në këtë stinor. /Gazeta Sinjali Sporti/