Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se një zyrtar policor ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë mes një veture dhe një autobusi, në rrugën magjistrale Mitrovicë e Veriut – Leposaviq, në afërsi të fshatit Dobrava.
Sinjali mëson nga burimet brenda policisë, se viktima është Dragan Jeftiq, zyrtar policor në stacionin e policisë në Leposaviq.
Deri tek aksidenti dyshohet se ka ardhur kur vetura e tipit Opel Astra, e cila po qarkullonte në drejtim të Mitrovicës dhe të cilën e drejtonte Jeftiq, është përplasur me autobusin i cili po qarkullonte në drejtim të Jarinës.
Burimet kanë njoftuar se autobusi i aksidentuar është autobusi i firmës “Kollashin” i qytetit të Novi Pazarit në Serbi, i cili në orën 23:00 ishte nisur për në Beograd.
Sinjali ka mësuar se Dragan Jeftiq dyshohet se ka qenë i dehur, pasi që i njëjti ishte duke u kthyer nga një festë.
Vdekjen e zyrtarit policor e ka konstatuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes./Gazeta Sinjali/