Gazeta Sinjali pak minuta më parë raportoi për një incident që ka ndodhur sot në Pejë rreth orës 16:15, ku tre persona të panjohur kanë sulmuar me mjete të forta një pjesëtar të Policisë së Kosovës.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e veta se pjesëtari i cili u sulmua me mjete të forta në kokë është Esat Lajçi.
Lajmin për incidentin e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se pas sulmit, të dyshuarit kanë ikur nga vendngjarja.
Ai gjithashtu u shpreh se Lajçi është dërguar me emergjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, gjersa shtoi se ky i fundit gjendet jashtë rrezikut për jetë.
“Sot rreth orës 16:15, në rrugën “Eliot Engël”, afër Fakultetit të Biznesit, policia është njoftuar për një incident, aty është lënduar një person. Pas sulmit tre personat e pa njohur, kanë ikur nga vendngjarja.
Të gjitha njësitet relevante kanë dalë në vendngjarje, viktima është dërguar me emergjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku është trajtuar dhe bëhet fjalë për një pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, përfundoi Gashi.