Arban Lajqi është zyrtari policor që dyshohet se shkrepi së paku tre plumba në drejtim të motoçiklistit, i cili tentoi të ikte së bashku me një motoçiklist tjetër, të dielën në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se përdorimi i armës nga ana e zyrtarit të PK-së Arban Lajqi, dyshohet se nuk ka qenë e domosdoshme në atë situatë.
I njëjti dyshohet se me shkrepjen e plumbave rrezikoi qytetarët përreth, të cilët për fat të mirë përfunduan në murin e një banese private.
Siç rezulton nga provat e grumbulluara deri më tani dhe dëshmitarët okularë, polici Lajqi që dyshohet se shtiu nga mbrapa motoçiklistin jo vetëm që nuk u kujdes për jetën e këtij të fundit, por rrezikoi edhe kalimtarët e tjerë, sepse plumbat u shkrepën në sipërfaqe që krijon rikoshetë dhe nuk mund të kontrollohet rreziku.
Motoçiklistët I.K., dhe Ç.C., nga Rahoveci u arrestuan dhe u ndaluan me urdhër të prokurorit. Ndaj njërit prej të dyshuarve është hapur rasti “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ndaj të dyshuarit tjetër rasti për “kundërvajtje”.
Ndërsa ndaj policit është hapur rasti “përdorimi i armës në mënyrë të rrezikshme”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.