image Ky është i arrestuari për therjen me thikë te pompa “Shell” në Gjakovë, ndalohet për 48 orë

Siguri

Ky është i arrestuari për therjen me thikë te pompa “Shell” në Gjakovë, ndalohet për 48 orë

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për një përleshje në pompën e derivateve “Shell” në Gjakovë, që eskaloi në përdorimin e thikës dhe për pasojë një person u lëndua. Viktima u dërgua në spital për trajtim, ndërsa i dyshuari u arrestua.

Rastin e ka konfirmuar tashmë edhe Policia, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarve.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që dyshohet për këtë rast është Dukagjin Gjocaj, 63-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Gjocaj po dyshohet se e ka therur me thikë viktimën 40-vjeçar (emër i njohur për redaksinë) pas një mosmarrëveshje që patën mes vete.

Sipas informacioneve të para, dy palët janë përplasur pasi kishin shkuar në këtë pompë për t’i mbushur veturat e tyre me derivate. Një zënkë e momentit eskaloi në sulm dhe për pasojë i dyshuari përdori thikën.

Sinjali mëson se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Spitalin Rajonal në Gjakovës.

Në anën tjetër, ndaj të dyshuarit Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Lëndim i rëndë trupo”.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Në Stacionin Policor në Gjakovë është raportuar se një person, mashkull i moshës madhore, për shkak të plagës së shkaktuar (dyshohet të jetë bërë nga sulmi me mjet të mprehtë) është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Policia ka identifikuar të dyshuarin dhe ka bërë arrestin e tij. Rasti është duke vazhduar me hetime”, tha Elezaj.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/