Nesër dhe masnesër pritet të ketë reshje dëbore ndërkaq në fundjavë temperaturat do të ngriten dhe do të ketë mot të kthjellët.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se reshjet e borës që ranë gjatë ditës së sotme, do të vazhdojnë përgjatë natës.
“Ditën e premte një front i ftohtë nga verilindja e kontinentit do të depërtojë në lindje të rajonit, e mbi vendin tonë do të shtojë vranësirat, vende-vende priten mundësi për reshje të dobëta bore. Në aspektin termik, do të mbetemi nën dominimin e masave të ftohta ajrore, por nga fundjava temperaturat gjatë ditës do të shënojnë rritje graduale”, paralajmëron PË.
Parashikimi për periudhën 6-10 shkurt:
6.02 – Mot i ftohtë. Në mëngjes vende-vende mundësi për reshje të dobëta bore. Ditën me kthjellime dhe intervale më të gjata me diell.
7.02 – Kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Në mbrëmje mundësi për reshje të dobëta lokale bore.
8.02-9.02 – Në fundjavë mot kryesisht me diell. Orëve të mëngjesit ngrica.
10.02 – Kryesisht me vranësira, e gjatë ditës më butë.
Ditën e enjte temperaturat do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstreme, e më pas gradualisht vlerat maksimale do të shënojnë rritje, por mbeten përreth vlerave mesatare. Minimalet do të luhaten nga -6C deri në -3C, e maksimalet nga 1C deri në 5C, e nga dita e diel do të rriten në 7C.
Erërat gradualisht do të pushojnë. Do të fryjë erë kryesisht nga krahu verior 6-13m/s, e ditën e diel, e lehtë nga jugperëndimi 1-3m/s.
Shtypja atmosferike do të shënojë rritje të shpejtë mbi vlera normale.