Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ku cak ishte shtëpia e një personi që dyshohet që ka gjuajtur me armë mbrëmë në rrugën “Asllan Pireva” në kryeqytet. Kjo bastisje përfundoi me plagosje, pasi që Policia u detyrua të qëllojë mbi të dyshuarin, që tanimë gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast, ndërsa tani iu sjellë një përmbledhje të krejt asaj çka ka ndodhur dhe çka dihet deri më tani.
Rreth orës 08:30, Policia ka shkuar të zbatojë një urdhëresë për bastisje ndaj të dyshuarit, Bajram Babiq, mirëpo policët kanë hasur në rezistencën e tij. Siç raportoi Sinjali më herët, Babiq ua ka drejtuar armën policëve dhe kësisoj, njëri nga zyrtarët policorë është detyruar të qëllojë mbi të, duke e lënë të plagosur.
I dyshuari menjëherë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku është futur në sallën e operacionit që të operohet.
Mjekja kujdestare në Emergjencë, Dafina Basholli, i tha Sinjalit se i dyshuari është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në lidhje me këtë janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se polici është detyruar që të qëllojë mbi të dyshuarin që ta mbrojë veten e tij.
Sipas Policisë, me të arritur në lokacion-shtëpinë e banimit të personit të dyshuar policia ka hasur në personin e dyshuar, i cili papritmas ka drejtuar armën në drejtim të zyrtareve policor duke ua rrezikuar jetën e tyre.
“Falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarit policor i njëjti në vetëmbrojtje ka përdorur armën ndaj personit të dyshuar me qellim të neutralizimit të rrezikut për jetën e tij dhe kolegeve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njësitet policore ne vendin e ngjarjes kanë hasur një arsenal armësh që posedonte personi i dyshuar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.