Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Gjakovë, ku dyshohet se një vajzë 13-vjeçare, e cila ishte raportuar e zhdukur, është dhunuar seksualisht nga një 34-vjeçar.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Nysret Xhurkaj, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari tashmë ka rënë në prangat e Policisë.
“I dyshuari mbrëmë rreth orës 21:00 është arrestuar nga Policia. Hetimet për zbardhjen e rastit janë në vijmësi. Gjindet në ndalim policor prej 48 orësh”, tha Xhurkaj për Sinjalin.
Ndryshe të hënën e 2 majit një vajzë e mitur është raportuar e zhdukur nga babai i saj. 13-vjeçarja u gjet në Junik nga familjarët e saj dhe e njëjta dukej në gjendje të mirë shëndetësore, por që më pas u zbulua se ajo është shfrytëzuar seksualisht nga një 34-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se vajza e cila ishte raportuar si e zhdukur, ishte kërkuar në disa lokacione nga babai i saj, por që i njëjti nuk kishte arritur që ta gjejë. Babai i 13-vjeçares kishte deklaruar se vajza e tij ishte larguar edhe një herë tjetër nga shtëpia.
Por tri ditë pasi u raportua e zhdukur, vajza 13-vjeçare u gjet nga familjarët e saj në Junik. E njëjta më pas u dërgua në Stacion Policor në Gjakovë, ku dha deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.
E detajet tronditëse u zbuluan më pas, pasi që dyshohet se gjatë kohës që 13-vjeçarja ishte e zhdukur, ishte shfrytëzuar seksualisht nga një burrë.
Sinjali mëson se personi i dyshuar për dhunim ndaj të miturës është Sh.Ll., 34-vjeçar.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.