image Tronditëse: 13-vjeçarja që u zhduk në Gjakovë, ishte dhunuar nga një 34-vjeçar - Sinjali

Tronditëse: 13-vjeçarja që u zhduk në Gjakovë, ishte dhunuar nga një 34-vjeçar

news image

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku të hënën e 2 majit një vajzë e mitur është raportuar e zhdukur nga babai i saj. 13-vjeçarja u gjet në Junik nga familjarët e saj dhe e njëjta dukej në gjendje të mirë shëndetësore, por që më pas u zbulua se ajo është shfrytëzuar seksualisht nga një 34-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se vajza e cila ishte raportuar si e zhdukur, ishte kërkuar në disa lokacione nga babai i saj, por që i njëjti nuk kishte arritur që ta gjejë. Babai i 13-vjeçares kishte deklaruar se vajza e tij ishte larguar edhe një herë tjetër nga shtëpia.

Por tri ditë pasi u raportua e zhdukur, vajza 13-vjeçare u gjet nga familjarët e saj në Junik. E njëjta më pas u dërgua në Stacion Policor në Gjakovë, ku dha deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

E detajet tronditëse u zbuluan më pas, pasi që dyshohet se gjatë kohës që 13-vjeçarja ishte e zhdukur, ishte shfrytëzuar seksualisht nga një burrë.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për të kapur personin e dyshuar, me ç’rast i njëjti është arrestuar mbrëmë rreth orës 21:30.

Sinjali mëson se personi i dyshuar për dhunim ndaj të miturës është Sh.Ll., 34-vjeçar.

Pas arrestimit, ai është dërguar në Stacion Policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ndaj tij hapet rast nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunim’.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin