Zëvendësja e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, ka denoncuar në Polici dy persona të cilët dyshohen se kanë marrë mijëra euro duke mashtruar disa qytetarë me premtimin se do t’i punësojnë dhe do t’iu ndajnë banesa. Sinjali raportoi pak më parë se si Hoxhiq e ftoi Policinë që t’i arrestojë të dyshuarit në zyrën e saj.
Siç merr vesh Sinjali shuma që dy të dyshuarit kishin marrë nga disa qytetarë nga muaji prill – dhjetor 2021 është 35 mijë euro.
Dy personat që u arrestuan dyshohen se kishin përmendur edhe emrin e Hoxhiq, duke tentuar që t’i joshin viktimat dhe ta bëjnë sa më të vërtetë premtimin që u kishin dhënë, raporton Sinjali.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe Hoxhiq, e cila njoftoi se dy të dyshuarit janë arrestuar në zyrën e saj, në objektin e komunës.
“Unë e konfirmoj këtë rast. Dy personat e dyshuar e kanë përmendur emrin tij në këtë rast. Në momentin që unë e kam kuptuar se dyshohen për mashtrim, unë e kam ftuar Policinë, të dyshuarit i kam mbajtur në kabinet dhe më pas Policia i ka kapur. Unë jam një qytetare dhe mundohem të jem shembull i mirë, duke raportuar rastet e mashtrimit në Polici”, tha Hoxhiq për Sinjalin.