Gjatë bastisjes së Policisë së Kosovës që është zhvilluar sot në lagjen “Kodra e trimave” në Prishtinë, është plagosur rëndë i dyshuari, Bajram Babiq.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Emergjencën në QKUK, për të marrë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të dyshuarit.
Mjekja kujdestare në QKUK, Dafina Basholli, i tha Sinjalit se pacienti është pranuar në gjendje të rëndë dhe tashmë është futur në sallën e operacionit.
Bastisja është zhvilluar sot në orën 08:30 të mëngjesit, me ç’rast ka ndodhur edhe shkëmbimi i zjarrit me policinë.
Sinjali mëson se në shtëpinë e Babiq janë gjetur sasi e madhe e armëve dhe municionit, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.