Pas dëshmive të publikuara ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali, të torturës dhe poshtërimit të disa qytetarëve në Prizren nga Njësia Speciale e Policisë janë suspenduar zyrtarët policorë, të cilët dyshohen për këtë rast.
Sinjali mëson se përveç rreshterit Sami Hoti, zyrtarët e suspenduar janë Valon Krasniqi, Frasher Kroni, Ardian Krasniqi dhe Albert Perzhaku.
Në materialet e siguruara nga Sinjali pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.