image Kërkohet paraburgimi i shoferit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me 4 viktima në Ferizaj - Sinjali

Kërkohet paraburgimi i shoferit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me 4 viktima në Ferizaj

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.M., nga Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06 Qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, komuna Ferizaj, i pandehuri E.M., duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika” nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor.

Prokuroria bën të ditur se E.M., duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, i cili ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.

Si pasojë e këtij aksidenti pësuan lëndime vdekjeprurëse drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur.

Ndërsa, ka mbetur e lënduar pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri E.M., ka kryer veprën e sipërshënuar penale, për të cilën gjendet në ndalim 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin