Para pak minutash Gazeta Sinjali raportoi se objekti i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është rrethuar me shirita të Policisë, kjo pasi që dyshohet për një kërcënim me bombë.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.
Ai ka bërë të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar situatën.
Ai ka thënë se informata është pranuar rreth orës 16:00.
Në objektin e Rektoratit të UP-së tashmë kanë arritur edhe njësitet K9 të policisë.