image Kanalizimet e hapura që nga 23 prilli, banorët e lagjes "Dardania" në Gjakovë ndihen të rrezikuar të kalojnë rrugën

Sinjalizime

Kanalizimet e hapura që nga 23 prilli, banorët e lagjes “Dardania” në Gjakovë ndihen të rrezikuar të kalojnë rrugën

news image

Banorët e rrugët “Fitim Domi” në lagjen “Dardania” në Gjakovë ankohen se ndihen të rrezikuar të kalojnë në këtë rrugë, për shkak të kanalizimeve të cilat janë dëmtuar, raporton Gazeta Sinjali.

Disa banorë të kësaj rruge kanë shkruar në adresë të Sinjalit dhe kanë dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes.

Ata thonë se janë dy kanalizime në këtë rrugë që janë dëmtuar nga 23 prilli, por që ende askush nuk ka marrë ndonjë masë për t’i rregulluar.

Në kohën kur janë dëmtuar, njëri banor tha se policia e ka mbyllur një ditë rrugën, për shkak të rrezikshmërisë.

Ky banor tha se të gjitha kanalizimet në këtë rrugë janë dëmtuar, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve të kompanisë që e ka shtruar rrugën dy vjet më parë.

Ai bëri të ditur se kjo kompani, e cila e ka shtruar këtë rrugë, e ka mbushur njërin nga kanalizimet me zhavor, në mënyrë që rruga të bëhet e kalueshme.

Njëri nga banorët tha se ai personalisht nuk është ankuar fare në Komunën e Gjakovës, për shkak se thotë se pushteti lokal nuk i merr në konsideratë votuesit e partive opozitare.

“Jo, se s’ke ku ankohesh. Nga viti 2021 e kem dorëzuar projektin e rrugës time, ende se marrin në konsideratë se jemi LDK, e pushteti komunal AAK. Kështu që, veç përmes mediave me pas një presion, ndoshta ndërmarrin diçka”, tha njëri nga banorët.

Ai tha se kjo rrugë shfrytëzohet për qarkullim ditor nga më shumë se 12 mijë banorët e lagjes “Dardania”./Gazeta Sinjali/