image Jelek antiplumb dhe dronë, Kim Jong Un largohet nga Rusia me dhurata

Botë

Jelek antiplumb dhe dronë, Kim Jong Un largohet nga Rusia me dhurata

news image

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfundoi vizitën e tij në Rusi të dielën dhe mori si dhuratë jelek antiplumb dhe dronë.

Në vizitën 6-ditore, Kim Jong Un mbajti takime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, duke rritur mundësinë që Koreja e Veriut të furnizojë Rusinë me armatime, në kuadër të luftës në Ukrainë.

Udhëtimi shënoi “një kulmim të ri miqësie, solidariteti dhe bashkëpunimi që po nis në historinë e zhvillimit të marrëdhënieve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë”, tha agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA.

Kim dhe Putin u takuan të mërkurën dhe ranë dakord që Koreja e Veriut të ndihmojë me municione Rusinë, teksa kjo e fundit do të dërgojë ushqime dhe teknologji për programin bërthamor të Penianit.

Më herët, kreu i Kremlinit pranoi dhe ftesën e Kim Jong Un për të vizituar Korenë e Veriut, vizitë që mendohet se do të realizohet shumë shpejt.

Kim u prit ngrohtësisht nga Putin në qendrën hapësinore Vostochny në lindjen e largët të Rusisë. Pamjet e medias shtetërore ruse treguan dy liderët duke buzëqeshur ndërsa shtrëngonin duart, përpara se Putin ta shoqëronte personalisht Kim rreth qendrës hapësinore.

/GazetaSinjali/