Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për zyrtarin policor me iniciale S.J., i cili dyshohet se më 3 shtator ka sulmuar fizikisht punëtorët e kompanisë “EL BAU”, të cilët po bënin prerjen e asfaltit në një rrugë publike në Gjilan.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan, B.P. dhe S.P., babë e bir, po bënin prerjen e asfaltit për të bërë kyçjen e kanalizimit në një rrugë publike, në momentin kur polici, i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare, ka filluar të kundërshtojë një veprim të tillë dhe nga pakënaqësia i ka sulmuar fizikisht ata.
Me rastin ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rekomandim të prokurorit kujdestar, është hapur rast për të dyja palët e përfshira, për veprat penale “sulm” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Inspektoratit Policor të Kosovës për të kuptuar masat që ky inspektorat ka ndërmarrë ndaj zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.
Nga IPK kanë konfirmuar se janë të informuar me rastin dhe se zyrtari policor në fjalë është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar rasti vazhdon në procedurë te rregullt dhe së bashku me hetuesit e Stacionit Policor të Gjilanit ndaj te dyshuarve në këtë rast (zyrtarit policor dhe qytetarëve) është ngritur kallëzim penal me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Sulm’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor'”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Inspektoratit për Gazetën Sinjali.
Nga ky institucion kanë njoftuar se rasti në fjalë do të procedohet edhe te Drejtoria për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në PK për inicim të procedurës disiplinore ndaj zyrtarit policor./Gazeta Sinjali/