image Zyrtari policor në Gjilan sulmon punëtorët e një kompanie, dyshohet se kundërshtoi prerjen e asfaltit - Sinjali

Zyrtari policor në Gjilan sulmon punëtorët e një kompanie, dyshohet se kundërshtoi prerjen e asfaltit

news image

Zyrtari policor me inicialet S.J. dyshohet se ka sulmuar fizikisht punëtorët e kompanisë “EL BAU”, të cilët po bënin prerjen e asfaltit në një rrugë publike në Gjilan, mesditën e sotme, rreth orës 14:00, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saj brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan se B.P. dhe S.P., babë e bir, po bënin prerjen e asfaltit për të bërë kyçjen e kanalizimit në një rrugë publike, në momentin kur polici, i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare, ka filluar të kundërshtojë një veprim të tillë dhe nga pakënaqësia i ka sulmuar fizikisht ata.

Anipse, ka ndërhyrë personi për të cilin po kryheshin punimet, shoki i tij e dëshmitarë të tjerë në vendngjarje, ata nuk kanë arritur të evitojnë eskalimin dhe përshkallëzimin e situatës.

Të njëjtat burime thanë për Gazetën Sinjali se për shkak të lëndimeve të marra, zyrtari policor ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Gazeta Sinjali mëson se me rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rekomandim të prokurorit kujdestar, është hapur rast për të dyja palët e përfshira.

Mësohet po ashtu se të gjithë personat e përfshirë në këtë rast janë liruar në procedurë të rregullt, derisa ekzistojnë video-inçizime nga vendi i ngjarjes./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin