image Gjykata Themelore i cakton një muaj paraburgim Ikballe Berisha - Hudutit

Drejtësi

Drejtësi/ Gjykata Themelore i cakton një muaj paraburgim Ikballe Berisha – Hudutit

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, Ikballe Berisha – Hudutit.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Themelore, shkruan Gazeta Sinjali.

“Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të  paraburgimit dhe ka aprovuar propozimin e prokurorit për caktimin e parabugimit.

Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara nga neni 187 par. 1 nënpar.1.1, neni 187 par. 1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 si dhe neni 187 par.1 nën par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.3.

Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura I.H ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ku dëshmohet postimi i të pandehurës në rrjetin social Facebook, e me të cilat postime është bërë shtytje në kryerjen e veprave terroriste. Po ashtu Gjykata ka konsideruar se ekziston frika e bazuar se po që se e pandehura do të mbrohet në liri mund t’i qaset arratisë për t’i ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhet, ku në këtë mënyrë do ta pengoj rrjedhën normale të procedurës”, bëhet e ditur në komunikatën e Gjykatës.

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës e kishte arrestuar Ikballe Berisha-Hudutin, pasi e njëjta përmes rrjeteve sociale ishte deklaruar kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, gjatë një sulmi me dron nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ikballe Berisha-Huduti, përmes një serie postimesh në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, kishte shprehur pikëpamjet e saj lidhur me vrasjen e Soleimanit, të cilin e kishte përshkruar si “njeri madhështor”.

Berisha-Huduti në njërin nga postimet në rrjetin social Facebook, kishte kritikuar Washingtonin, pasi forcat amerikane vranë gjeneralin iranian, më 3 janar 2020.

“Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, ka shkruar Berisha-Huduti.

Postimi duket se është fshirë pas raportimeve nga mediat vendore në Kosovë.

Ajo kishte paralajmëruar padi ndaj mediave që e kishin cituar atë /Gazeta Sinjali/