Gjykata Rajonale e Grazit ka shqiptuar dënime ndaj gjashtë personave të përfshirë në një rrahje masive mes tre sirianëve dhe tre kosovarëve, e cila kishte ndodhur në muajin shkurt në një pikë karburanti në lagjen Lend të Grazit.
Sipas vendimit të gjykatës, kosovarëve u është shqiptuar dënim nga masa alternative deri në tetë muaj burgim pa kusht, ndërsa tre sirianët janë dënuar me dënime dukshëm më të rënda, nga dy vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet burgim, raporton “Kleine Zeitung”.
Rrahja mes gjashtë burrave kishte tronditur komunitetin lokal, pasi ngjarja kishte ndodhur në mes të ditës, me dëshmitarë përfshirë edhe fëmijë.
Një avokat e kishte përshkruar skenën në mënyrë dramatike për gazetën “Kleine Zeitung”:
“Në pikën e karburantit kishte familje me fëmijë të vegjël, që vetëm donin ta lanin veturën e tyre. Por papritur fillon gjithçka: merret një shkop bejsbolli, goditet me shkelma në kokë një burrë i shtrirë në tokë. Aty mbretëronte luftë civile. Po të shkonte keq puna, dikush do vdiste”, tha avokati.
Shkaku i përleshjes dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje për një grua.
“Ishte një provokim i vetëdijshëm, klienti im u provokua përmes mesazheve. Si pasojë, ai përjetoi një shpërthim të madh adrenaline”, tha një avokat mbrojtës.
Sipas gjykatës, kamerat e sigurisë kanë treguar se si një sirian ka hyrë me veturë me shpejtësi në pikën e karburantit, ndërsa një kosovar ka arritur t’i shmanget përplasjes vetëm duke u hedhur anash. Më pas, sipas dosjes së rastit, kanë pasuar skena të dhunshme me grushte dhe shkopinj bejsbolli.
Në Gjykatën Penale Rajonale të Grazit, prokurorja Julia Steiner i kishte akuzuar të gjashtë të pandehurit për pjesëmarrje në përleshje, ndërsa për autorët kryesorë janë ngritur edhe akuza për detyrim dhe tentativë për lëndim të rëndë trupor me qëllim. Të gjashtë personat, të moshës 21 deri në 28 vjeç, janë me precedentë penalë.
“Asnjë njeri në Austri nuk ka nevojë për boks hekuri ose shkop bejsbolli në veturë për t’i rrahur të tjerët”, kishte deklaruar gjykatësi Andreas Lenz.
Të pandehurit kryesisht e kanë pranuar fajësinë.
Sipas vendimit, trupi gjykues ka shqiptuar dënime për treshen kosovare nga masa alternative deri në tetë muaj burgim pa kusht, ndërsa për sirianët dënimet kanë qenë nga dy vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet burgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!