Kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se ka parë një dokument që lidhet me marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kur Gjini përshkroi letrën që kishte parë, ai vuri në dukje se megjithëse nuk thotë në mënyrë eksplicite se ishte shkruar nga një autor franko-gjerman, ka shumë gjasa që marrëveshja të jetë dakordim mes Francës dhe Gjermanisë.
“Po dokumentin natyrisht që e kam parë, kam pa edhe letër. Janë sjellë. Domethënë, besoni që ato letra që janë sjell, ato janë, nuk ka tjera. Nuk ma kanë dhënë diplomatët atë dokument mua, por ka kanale të cilat e përcjellin. Domethënë ka dokument të shkruar. Kërkund nuk shkruan autorësia, nuk shkruan franko-gjerman, por sipas të gjitha gjasave, është i dakorduar mes Francës dhe Gjermanisë”, deklaroi Gjini në T7 Pressing.
Gjini tha se marrëveshja nuk mund të jetë kontradiktore me Shtetet e Bashkuara, sepse do të prodhonte një problem të madh diplomatik, sipas parimeve të pashkruara të diplomacisë në mbarë botën.
“Nuk besoj që Franca e Gjermania e prodhojnë një dokument dhe e lëshojnë, nëse është i tyre, pa e dakordu edhe me shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mos harroni, që atëherë do të ishim në problem të madh ndërkombëtar”, tha nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.