image Gati një vit nga vdekja e Agon Musliut, prokuroria ende po vazhdon hetimet

Drejtësi

Gati një vit nga vdekja e Agon Musliut, prokuroria ende po vazhdon hetimet

news image

Pasditen e 3 majit të vitit të kaluar, 26-vjeçari nga Gjilani, Agon Musliu, ndërroi jetë pasi që ra nga kati i pestë i konviktit numër 7 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila në atë kohë ishte shndërruar në karantinë për të gjithë qytetarët që ktheheshin nga vendet e huaja.

Gati një vit pas vdekjes së tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë është ende duke vazhduar hetimet për zbardhjen e këtij rasti.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj ju njoftojmë se, Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj prokurorie, ende nuk i ka përfunduar hetimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjet e saj përmes e-mailit.

Ulaj nuk është përgjigjur në pyetjen nëse prokuroria ka intervistuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, i cili ishte në këtë post edhe në kohën kur ndodhi vdekja e 26-vjeçarit.

Vdekja e Agon Musliut nxiti reagime të shumta në publik, sidomos pasi që prindërit e tij thanë se tani i ndjeri kishte probleme shëndetësore, për të cilat pretendojnë se ai kishte ofruar dëshmi, por megjithatë ai ishte futur në karantinë.

Naim Musliu, babai i Agon Musliut në komision parlamentar

Madje, rasti i tij u ngrit edhe në komisionin hetimor parlamentar për hetimin e menaxhimit të pandemisë, i cili ftoi për intervistim edhe ministrin Vitia, i cili e kishte mohuar një gjë të tillë.

“Ndihem keq për vdekjen e Agonit, nuk ka qenë e lehtë për mua si ministër vdekja e tij. Është e lehtë të thuhet por jo në rastin tim. I ndjeri Agon Musliu nuk ka pasur asnjë dokument shëndetësor me vete në pikën hyrëse në Aeroportin e Prishtinës”, kishte deklaruar Vitia në këtë komision.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë

3 janar të këtij viti, tetë muaj pas vdekjes së 26-vjeçarit, prindërit e tij, Sofie dhe Naim Musliu, vendosën kurorë me lule te konviktet, aty ku ndërroi jetë i biri i tyre.

Atë ditë, përveç që kërkuan drejtësi për djalin e tyre, ata paralajmëruan se do ta padisin Qeverinë Kurti./Gazeta Sinjali/