image Polici Haradinaj: Nuk kam parë diçka të keqe te Agon Musliu, ia dhashë edhe letrën që ia dërgoi babai

Kosovë

Polici Haradinaj: Nuk kam parë diçka të keqe te Agon Musliu, ia dhashë edhe letrën që ia dërgoi babai

news image

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Arben Haradinaj është duke dëshmuar në Komisionin Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria e Kosovës. Haradinaj kishte marrë pjesë gjatë riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” në ditën kur u soll edhe tashmë i ndjeri Agon Musliu, shkruan Gazeta Sinjali.

Para anëtarëve të këtij komisioni, Haradinaj ka treguar se çfarë kishte biseduar me 26-vjeçarin nga Gjilani, ditën kur kishte arritur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, për t’u dërguar në Qendrën e Studentëve e cila ishte kthyer në karantinë për personat që vinin nga shtetet e tjera.

Pak para se të arrinte aty 26-vjeçari, babai i të ndjerit ia kishte dorëzuar një letër policit, me qëllim që ta lexonte djali i tij.

Megjithatë, këtë nuk e kishte pranuar 26-vjeçari, derisa polici Haradinaj kishte thënë se Agoni do të dërgohej në karantinë.

“Ne atë ditë kemi qenë për t’i përcjell personat që kanë ardhur. Kam ndihmuar pleq e plaka. Dhe aty ka ardhur më ka pyet babai i Agonit më ka thënë a mundesh me marr këtë letër edhe me ia dërguar djalit tim se është tu ardh prej Gjermanisë. Djali ka ardhur me një valixhe edhe ia kam dhënë letrën. E ka marrë e kom shikuar letrën, dhe Agoni tha nuk më duhet kjo letër se po më dërgojnë në karantinë. E unë jam në kontakt me prindin”, ka treguar ai.

Ai nëpërmjet një video-lidhje tha se atë ditë nuk ka vërejtur ndonjë shqetësim të Agon Musliut.

“Nuk kam parë diçka të keqe te ai djalë, ose të dyshimtë. E mori letrën e shikoi, dhe tha nuk më duhet se kam me shku në karantinë. Dhe tha mundësisht ktheje te prindi se jam tu shku në karantinë”, u shpreh ai.

Kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila theksoi se në incizimet që kanë kërkuar nga policia gjatë kohës sa janë riatdhesuar ata persona për në qendrën karantinë janë evidentuar personat, ku atë ditë ka qenë edhe polici Arben Haradinaj.

Veç tjerash, ky i fundit gjatë intervistimit në këtë komision hetimor theksoi se në aeroport kanë qenë edhe dy pjesëtarë të FSK-së, të cilët kanë asistuar. Shtoi se të njëjtit me shumë gjasë kanë dëgjuar komunikimin që ai ka pasur me Agon Musliun. /Gazeta Sinjali/