Gazeta Sinjali ka raportuar sot ekskluzivisht për përleshjen mes reperit Fero dhe producentit Jetmir Agaj. Sipas burimeve në Polici, Feronit Shabani i njohur si Fero, bashkë me truprojën e tij, Bujar Ibishi, dyshohet se e kanë sulmuar producentin dhe menaxherin, Jetmir Agaj, në studion e tij në Dragodan të Prishtinës.
Për këtë çështje, Sinjali ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë thënë që janë të njoftuar për incidentin e sotëm.
Në një përgjigje për Sinjalin, nga kjo prokurori kanë konfirmuar që dy persona janë në arrati. Pra bëhet fjalë për Feron dhe truprojën e tij.
“Ju njoftojmë se, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është njoftuar për incidentin në fjalë nga Policia e Kosovës, me ç’rast nga ky incident ka pësuar lëndime trupore një person. Dy persona të dyshuar të përfshirë në këtë rast ndodhen në arrati, derisa prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Kujtojmë që Agaj është producent i këngëtarëve të njohur si Azet, Albi e Bardhi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/