image Dora e butë e Prokurorisë në rastin e sigurimit të ‘Barbon’ në Prizren: Lirohet punëtori që dyshohet se ia theu hundën klientes

Drejtësi

Dora e butë e Prokurorisë në rastin e sigurimit të ‘Barbon’ në Prizren: Lirohet punëtori që dyshohet se ia theu hundën klientes

news image

Punëtori i sigurimit të lokalit “Barbon” në Prizren, Ilirjan Bytyqi, me të kaluar kriminale, i cili para disa ditësh u përfshi në një rrahje derisa ishte në detyrë, ka shpëtuar nga masa e paraburgimit, edhe pse dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Dora e Prokurorisë ndaj 36-vjeçarit ka qenë e ‘butë’ pasi i njëjti është lënë i lirë dhe  nuk është kërkuar fare caktimi i masës së sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.

Prokurori i këtij rasti, Beqë Shala, ka urdhëruar lirimin e Bytyqit pas intervistimit edhe pse nga praktika për lëndime të rënda, në raste tejet të rralla ka ndodhur që Prokurori të mos bëjë kërkesë për masë sigurie.

Kjo është konfirmuar edhe Zyra për Informim e Prokurorisë Themelore në Prizren, që kanë njoftuar se është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Bytyqit, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën “Lëndim i rëndë trupor”.

 “Lidhur me rastin të cilit i referoheni, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm ju njofton se, i dyshuari me inicialet I.B., me datë 19.11.2022 me urdhër të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve. I njëjti, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt. Lidhur me rastin, prokurori ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, për shkak të dyshimit të bazuar se i I.B., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186 paragrafi 1, si dhe ndaj të pandehurës A.B., për shkak të dyshimit se e njëjta ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Kujtojmë se Bytyqi nuk është emër  i panjohur për organet e rendit, pasi dosja e tij është e pasur me vepra dhe raste të ndryshme në të cilat është përfshirë. Ai ka të kaluar kriminale pasi dyshohet se ka rënë ndesh me ligjin shumë herë për disa vepra penale.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Bytyqi është përfshirë në shumë disa incidente të natyrës së rrahjeve e përleshjeve, për çka është futur në telashe me shtetin. Disa nga veprat e dosjes kriminale që ndodhet në sirtaret e Policisë e Prokurorisë janë: “Sulmi”, “Kanosja”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. Këto vepra sanksionohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe dënohen me gjoba e burgim. Përveç veprave penale, Ilirjan Bytyqi dyshohet se ka kryer edhe rreth 100 vepra kundërvajtëse, shumica prej të cilave në komunikacion, thonë tutje burimet e Sinjali.

Por çfarë dihet për rastin e fundit, për të cilin ai tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor?

Bytyqi, duke qenë në pozitën e punëtorit të sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren të shtunën mbrëma dyshohet se ka sulmuar brutalisht dy vajza, kliente të kësaj kafeterie.

Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 22:00, në lokalin Barbon, ku dy vajzat, njëra prej të cilave është përfshirë në përleshje, kanë pasur një mosmarrëveshje me punëtorin e dyshuar, konflikt ky që eskaloi në sulm fizik dhe për pasojë njëra prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç mëson Sinjali nga të njëjtat burime, njëra nga vajzat e dyshuara e ka goditur me gotë Bytyqin, me të cilin paraprakisht u kapën. Aty situata vetëm sa eskaloi dhe Bytyqi pa një pa dy iu kthye me sulm, duke i goditur aq keq klientet, deri në atë pikë sa njërën prej tyre e ka tërhequr zvarrë nëpër lokal.

Si pasojë e goditjeve dhe rrahjes brutale, viktima ka pësuar frakturë në hundë, për çka është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor. Në anën tjetër, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë prangosur Bytyqin, që ka qenë në gjendje te dehur dhe i cili është shoqëruar në stacion policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/