image Ferizaj: Shpërndahen 20 grante për bizneset e vogla

Biznes

Ferizaj: Shpërndahen 20 grante për bizneset e vogla

news image

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, gjatë ditës së sotme ka bërë shpërndarjen e pajisjeve në kuadër të Fondit të Punësimit në Komunën e Ferizajt, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas drejtorit të kësaj drejtorie Zekir Bytyqit, në kuadër të Fondit të Punësimit, po shpërndahet ky kontingjent me pajisje të ndryshme për bizneset e vogla, ku përfitues të këtyre granteve janë kryesisht gra që kanë bizneset e tyre.

“Sot po shpërndahen 20 grante për bizneset e vogla, prej tyre 10 grante kanë shkuar për rrobaqepësi, 5 grante për gatime tradicionale, 5 grante për ëmbëlsira dhe një grant ka shkuar për shkollën profesionale të bujqësisë. Këto grante po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e këtyre bizneseve dhe punësimin e të rinjve dhe të rejave në Komunën e Ferizajt. Këtë vit është analizuar çështja e punësimit të grave dhe mbi 50 për qind e përfituesve janë gra dhe po besoj që edhe në të ardhmen do të ndihmojmë gratë në biznes”, është shprehur drejtori Bytyqi, pasi që është një numër i vogël që janë pronare gratë.

Naxhie Hashani, e cila merret me gatime tradicionale është njëra ndër përfituesit e këtij granti të Fondit të Punësimit. Ajo është shprehur falënderuese ndaj Komunës së Ferizajt për këtë ndihmë të ofruar.

Edhe Selvete Hetemi, e cila merret që 15 vite me gatime të ëmbëlsirave ka thënë se kjo është hera e parë që ka përfituar një grant të tillë. Ajo planifikon që viteve në vazhdim edhe të bëjë zgjerimin e biznesit të saj.

U bë e ditur se gjatë javës së ardhshme do të bëhet edhe shpërndarja e makinerisë për mobilieri, ndërsa shumë shpejt do të bëhet edhe thirrja e dytë për shpërndarjen e 10 granteve të tjera për rrobaqepësi si dhe 4 grante të tjera të mobilierisë. /Gazeta Sinjali/