image EULEX merr nën mbikëqyrje rastin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor ndaj qytetarit duarlidhur në Stacionin Policor në Gjakovë

Kosovë

Aktivizim/ EULEX merr nën mbikëqyrje rastin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor ndaj qytetarit duarlidhur në Stacionin Policor në Gjakovë

news image

Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit në Kosovë- EULEX, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se ka marr nën monitorim rastin e torturës së ushtruar nga komandanti dhe pesë zyrtarët e Stacionit të Policisë në Gjakovë, ndaj një qytetari me duar të lidhura.

Pas videos ekskluzive të publikuar nga gazeta Sinjali ku shihet trajtimi çnjerëzor i një të prangosuri nga policia, zyrtarët e EULEX-it kanë bërë të ditur se kanë marr përsipër mbikëqyrjen e  këtij rasti dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës rreth hapave që duhet të ndërmerren në kuadër të zbatimit të ligjeve të Kosovës dhe standardeve për të drejtat e njeriut.

“Në pajtim me mandatin e tij, EULEX-i kryen monitorime të thukta të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivel të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, me qëllim të sigurimit të përputhshmërisë me ligjet e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut. Në këtë drejtim, EULEX-i po ashtu bënë monitorimin e rastit të cekur nga ju dhe të hapave të ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Gazetën Sinjali.

Më 9 tetor të këtij viti, Gazeta Sinjali ka publikuar videon ekskluzive të torturës së ushtruar nga komandanti dhe pesë zyrtarët e Stacionit të Policisë në Gjakovë, ndaj një qytetari me duar të lidhura.

Në materialin e siguruar nga Policia e Kosovës, shihet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Uniformat e Policisë së shtetit, siç shihen në video, ushtrojnë në vazhdimësi brutalitet të pashembullt grupor ndaj të prangosurit, me grushte e shkelma, duke e sjellë atë deri në prag të agonisë, përmes përdorimit të dhunës në shkallën e torturës çnjerëzore, shkruan Gazeta Sinjali.

E tërë kjo torturë e policisë ndodh gjatë detyrës zyrtare brenda Stacionit Policor, ndaj një qytetari me duar të lidhura i cili ishte vënë në kontroll të plotë të tyre dhe nuk paraqiste asnjë lloj rreziku për ushtruesit e dhunës.

Sjelljet e tilla dënohen nga Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit në Kosovë- EULEX.

“Pa paragjykuar rezultatet e hetimeve që janë duke u zhvilluar për këtë rast specifik, EULEX-i dënon çfarëdo sjellje të pahijshme që mund të jetë kryer nga pjesëtarë të zbatimit të ligjit gjatë kryerjes së detyrave të tyre”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Gazetën Sinjali.

Ky rast ishte dënuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ndërsa kryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli nuk është deklaruar për këtë rast duke zgjedhur heshtjen përkundër kërkesës së Redaksisë së Sinjalit për tu prononcuar rreth kësaj çështjeje.

Përkundër gjithë kësaj dhune, komandanti dhe pesë policët vazhdojnë t`i ushtrojnë funksionet e tyre zyrtare në vendin dhe pozitën e njëjtë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata/Gazeta Sinjali/