image Avokati i popullit: Tortura që ju bë qytetarit të prangosur është e ndaluar edhe në luftë

Kosovë

Reagimi/ Avokati i popullit: Tortura që ju bë qytetarit të prangosur është e ndaluar edhe në luftë

news image

Avokati i Popullit ishte institucioni që e kishte informuar së pari Inspektoratin Policor të Kosovës për torturën çnjerëzore që e kishte përjetuar një qytetar i prangosur nga zyrtarët policorë në stacionin e Policisë në Gjakovë.

Sipas avokatit të popullit, Hilmi Jashari, dhuna brutale e ushtruar nga komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij, është e ndaluar edhe në rrethana të luftës, shkruan Gazeta Sinjali.

Jashari thotë se raste të tilla dënohen kudo në botë.

“Edhe mbi bazën e krejt sistemit juridik që e kemi në vend dhe që është i zbatueshëm, tortura, në terma absolute, po e nënvizoj, në terma absolute është e ndaluar kudo në botë, edhe me konventa evropiane e edhe me ligjet tona vendore. Me fjalë të tjera, i bie që as në rrethana të jashtëzakonshme, edhe në rrethana të luftës, tortura është e ndaluar kudo në botë, sidomos nga Këshilli i Evropës. Si e tillë, tortura nuk duhet të përdoret në asnjë rrethanë, në asnjë rast, për çfarëdo arsye. Aq më tepër, kriteret janë më të ashpra dhe më rigoroze në situatë kur personat janë të privuar nga liria dhe mbahen në hapësira ku organet e rendit kanë kontrollë të plotë, në këtë rast në stacionin e Policisë. Këto praktika i dënon edhe Gjykata evropiane e Strasburgut”, ka thënë Jashari në një prononcim për Gazetën Sinjali.

Avokati i popullit kujton momentin kur institucioni të cilin ai e drejton e kishte bërë raportin për këtë torturë, dhe ai raport ishte kundërshtuar me arsyetime nga shumë njerëz. Por, pas publikimit të videos nga Gazeta Sinjali, Jashari thotë se edhe skeptikët më të mëdhenj janë bindur se dhuna brutale e ushtruar nga zyrtarët policorë ka qenë çnjerëzore.

“Ajo që ka qenë interesant, kur e kemi bërë raportin, pati reagime të ndryshme nga qytetarët që gjoja deri diku dhuna është e arsyeshme. Ishte e papranueshme. Por ishte edhe më interesant kur u publikua videoja; edhe ata që kanë qenë më skeptikët për këtë rast, u pajtuan që po, është e padrejtë, e pasjellshme, joetike, joprofesionale e gjithçka tjetër”, shprehet Jashari.

Ky nuk është rasti i vetëm ku policët ushtrojnë dhunë mbi të prangosurit edhe në stacionet policore. Por avokati i popullit, Hilmi Jashari thotë se në raste të tjera dëshmitë nuk janë kaq të qarta.

“Ka pasë raste të tilla të ngjashme edhe më herët, në kuadër të institucioneve të burgut, mirëpo ka pasë edhe pretendime tjera në stacionet e Policisë, në disa raste kur qytetarët, të ndaluarit kanë përjetuar ushtrim dhune, mirëpo jo në një formë të tillë kaq të dokumentuar përmes argumenteve dhe videoincizimeve. Pjesën më të madhe të rasteve dëshmi kanë qenë raportet mjekësore që i kemi hasur gjatë hetimit të rastit, mirëpo po, ka pasur edhe raste tjera”, tregon ai.

Ajo çfarë ka kërkuar institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me këtë rast, përveç vazhdimit të hetimeve ndaj policëve dhunues, është edhe kompensimi ndaj qytetarit për dhunën e ushtruar ndaj tij.

“Në këto rrethana nuk mbetet asgjë tjetër; hetimet penale duhet të vazhdojnë, ato kanë fillu për këtë rast ndaj personave që kanë ushtruar torturë, ndërsa për viktimën kërkohet në mënyrë urgjente të shqiptohet kompensimi adekuat për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, edhe si formë e statisfaksionit moral për shkeljet që i janë bërë nga ana e përfaqësuesve të shtetit”, thotë Jashari.

Të mërkurën, Gazeta Sinjali ka siguruar videon ekskluzive të torturës së ushtruar nga komandanti dhe pesë zyrtarët e Stacionit të Policisë në Gjakovë, ndaj një qytetari me duar të lidhura.

materialin e siguruar nga Policia e Kosovës, shihet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Pas publikimit të kësaj videoje, Gazeta Sinjali ka marrë qëndrimet e drejtorit të Polcicisë së Kosovës, Rashit Qalajt, si dhe komandantit të Policisë së Gjakovës i cili ishte përfshirë në këtë rast, Kristë Gjokajt.

Rashit Qalaj e ka dënuar dhunën e ushtruar nga policët, ndonëse i ka kthyer ata në vendet dhe pozitat e njëjta të punës. Ndërkaq Kristë Gjokaj ka preferuar që dhuna e ushtruar nga ai të cilësohet e dyshimtë. /Gazeta Sinjali/