Ndeshja mes Gjilanit dhe Ballkanit u përmbyll me incidente të mëdha, pasi që portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri u sulmua brutalisht nga disa tifozë gjilanas, çka bëri që portieri të dërgohej në ambulancë dhe ndeshja të ndërpritej.
Ndërkohë, Ismet Hashani, zyrtar i Policisë në Gjilan ka bërë të ditur për Sinjalin se rasti është hapur dhe Policia po punon intensivisht për të identifikuar autorët e sulmit ndaj portierit Frashëri.
“Policia e Kosovës po punon intensivisht për të identifikuar personat e dyshimtë që e kanë shkaktuar incidentin”, deklaroi ai.
Hashani bëri të ditur se rasti është hapur ‘Lendim trupor’ dhe se për momentin nuk ka persona të arrestuar.
Pas incidentit, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e përgjithshëm të Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli, ku ka dhënë detaje rreth lëndimit të pacientit.
“Gjendja e tij është stabile, është në emergjencë, lëndime ka pasë por jo lëndime të randa, thyerje nuk ka pasë. Janë ba ekzaminimet e duhura, nuk ka pasur ndonjë frakturë, krejt ka përfundu me disa shtypje, të cilat nuk janë në rrezik për jetë. Pacienti është duke u monitoruar dhe do të vendoset më vonë se çfarë do të behet me të”, tha ai për Sinjali.