Siguri/ Ende asnjë i arrestuar ose i dyshuar për vjedhjen në zyrën e AGK-së

news image

Kanë kaluar mbi dy javë prej se janë thyer zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ndërsa Policia e Kosovës ende nuk ka ndonjë informacion për të përfshirët e mundshëm në këtë rast.

Zyrtarët e këtij institucioni kanë deklaruar për Gazetën Sinjali se ende nuk ka ndonjë të arrestuar ose të dyshuar lidhur me këtë vjedhje, ndonëse përreth objektit ku ka ndodhur ky akt vandal, siç kanë thënë drejtuedsit e kësa organizate, ekzistojnë kamera të sigurisë.  

“Për AGK-në s`ka ndonjë detaj shtesë që mund ta publikojmë. Për çdo të re rreth rastit të AGK-së, mbesim në kontakt.”, ka deklaruar për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Policia nuk ka bërë të ditur nëse është intervistuar ndonjë person ose nëse hetuesia ka marr si prova incizimet nga kamerat e sigurisë te vendosura ne objektin e Katedrales dhe objektet perreth.

Më 6 dhjetor, persona deri më tash të panjohur, kanë thyer zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës të cilat gjenden në lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore në rrugën “Perandori Justinian” në Prishtinë. Me këtë rast hajnat kanë vjedhur disa paisje teknike me vlerë për punën e organizatës.

Përmes një reagimi për media, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e kishte dënuar këtë akt duke ftuar  Policinë e Kosovës që të angazhohet maksimalisht në gjetjen e kryerësve të kësaj vepre penale.

Thirrjes së AGK-së për hetim të shpejtë i ishte bashkuar edhe OSBE e cila përmes një reagimi kishte theksuar se gazetarët nuk duhet të pengohen në punën e tyre. Ndërsa përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medieve, Harlem Desir. Ai përmes një postimi në Twitter ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me këtë akt, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Zyra ime do të përcjellë nga afër hetimet, dhe shpresoj që personat përgjegjës do të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Desir në Tëitter.

Ndërkohë, Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve (SEWP), e cila përfaqëson më shumë se tetë mijë anëtarë, ka dënuar fuqishëm sulmin vandal  duke theksuar se çdo sulm ndaj gazetarëve, organizatave të tyre ose mediave është kërcënim ndaj interesave të publikut, demokracisë dhe posaçërisht të lirisë së shprehjes./ Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: