image Ekskluzive | Zhvillim i ri në rastin e vdekjes misterioze në Gllaviçicë të Pejës – arrestohet një person, dyshohet se manipuloi provat dhe fshehu armën

Sinjalizime

Ekskluzive | Zhvillim i ri në rastin e vdekjes misterioze në Gllaviçicë të Pejës – arrestohet një person, dyshohet se manipuloi provat dhe fshehu armën

news image

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në hetimet për vdekjen e Beqir Vokshit në fshatin Gllaviçicë të Pejës, rast që kishte tronditur opinionin publik në fund të muajit prill, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas më shumë se një muaji hetime intensive, hetuesit rajonalë në Pejë kanë siguruar prova që kanë çuar në dyshime të bazuara se një person ka ndërhyrë dhe manipuluar provat që lidhen me rastin.

Bëhet fjalë për Arben Rrustemin, ndaj të cilit tashmë janë iniciuar hetime për veprat penale “Manipulim me prova”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe në kuadër të rastit të hapur për “Hetim të vdekjes”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se posedonte armën që dyshohet se ndërlidhet me rastin.

Pas këtij pranimi, hetuesit rajonalë kanë kryer sekuestrimin e armës në separacionin “Vëllezërit Rrustemi” në fshatin Gllaviçicë, ku arma është marrë si provë materiale për ekzaminime të mëtejshme forenzike.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dyshimet kryesore të hetuesve lidhen me veprime të ndërmarra menjëherë pas ngjarjes së 29 prillit, ku dyshohet se janë ndërhyrë dhe ndryshuar elemente të rëndësishme të vendit të ngjarjes dhe provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së Beqir Vokshit.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Arben Rrustemi është ndaluar për 48 orë.

Hetimet janë duke vazhduar dhe nuk përjashtohen masa apo arrestime të tjera, ndërsa ekspertizat forenzike mbi armën e sekuestruar dhe provat e tjera pritet të luajnë rol kyç në zbardhjen e plotë të rastit.

Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/