Dy të mitur kanë përfunduar në Polici pasi gjatë kontrollit të një autobusi në Pejë u janë gjetur mjete të ndaluara, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 21 maj 2026 rreth orës 18:20 në rrugën “Zekë Berdyna” në Vitomiricë, gjatë një aksioni policor për kontrollimin e autobusëve.
Sipas burimeve, njëri nga të dyshuarit kishte bërë lëvizje të dyshimta brenda autobusit, duke vrapuar drejt ulëseve të pasme dhe më pas duke u kthyer në vendin ku ishte ulur.
Pas kontrollit në atë pjesë të autobusit, policët kanë gjetur një thikë lakore me ngjyrë të zezë, për të cilën i dyshuari Q. Z ka pranuar se ishte e tij, duke deklaruar se i nevojitej për punë në shtëpi.
Ndërkohë, gjatë kontrollit ndaj të dyshuarit tjetër, L. A, Policia ka gjetur në xhepin e duksit një “boks hekuri” me ngjyrë ari.
Të dy të miturit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë, ku janë intervistuar në prani të prindërve.
Mjetet e sekuestruara janë konfiskuar, ndërsa me udhëzim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!