image Ekskluzive: Prokuroria Speciale do të nis hetimet ndaj Gjuriq për mospërfilljen e vendimit të Qeverisë

Drejtësi

Ekskluzive: Prokuroria Speciale do të nis hetimet ndaj Gjuriq për mospërfilljen e vendimit të Qeverisë

news image

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpërndarjen e fletave qortuese për shoferët me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, nuk po zbatohet nga policët në veri të vendit. Këtë e ka bërë të ditur vetë drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, tashmë i suspenduar, Nenad Gjuriq, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës se kjo pritet t’i kushtojë drejtorit Gjuriq, pasi PSRK është në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe së shpejti do të autorizojë hetimin preliminar kundër Gjurq për veprat e sabotimit dhe thirrjes për rezistencë.

Subjekt i ‘mikroskopit’ të PSRK-së do të jenë edhe deklaratat e kapitenit Gjuriq për mediat, në të cilat ai haptazi ka shprehur qëndrimin se Policia në veri nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për targat.

Sinjali ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga PSRK, por të njëjtit deri më tani nuk kanë dhënë detaje lidhur me rastin.

Ndryshe, Gjuriq tashmë është suspenduar nga detyra, pasi dyshohet se ka konsumuar dy veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se Gjuriq gjatë ditës së djeshme tha se patrullat policore janë dërguar në veri pa dijeninë dhe aprovimin e Drejtorit Rajonal të Policisë Veriore.

Për vendimin se nuk do të zbatojnë fjalën e Qeverisë, ai tha se paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

/GazetaSinjali/