Një 24-vjeçar është arrestuar sot në Prishtinë pasi ndaj tij ishin aktive dy urdhërarreste për mos pagesë të gjobave të shqiptuara për raste që lidhen me narkotikë, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se më 20 maj 2026 rreth orës 13:00, në rrugën “Gustave Majer” është ndaluar Lum Shkodra, ndaj të cilit ishin lëshuar dy urdhërarreste aktive nga gjykata.
Sipas dokumenteve zyrtare, ai ishte dënuar fillimisht me 700 euro gjobë për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, por për shkak të mos pagesës, gjoba i ishte zëvendësuar me 35 ditë burgim.
Po ashtu, ndaj tij ekzistonte edhe një dënim tjetër prej 400 eurosh për të njëjtën vepër penale, i cili po ashtu ishte shndërruar në 20 ditë burgim.
Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit për vuajtjen e dënimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!