image Ekskluzive: Kush është personi që deputeti Mirsad Shkreta dyshon se ia vodhi 50 mijë euro ‘cash’ dhe 5 mijë euro stoli ari

Ekskluzive

Ekskluzive: Kush është personi që deputeti Mirsad Shkreta dyshon se ia vodhi 50 mijë euro ‘cash’ dhe 5 mijë euro stoli ari

news image

Deputeti i Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, të enjten ka qenë cak i hajnave. Atij dyshohet se i janë vjedhur 50 mijë euro para të gatshme dhe 5 mijë euro stoli të arit nga banesa e tij, në lagjen Kalabria në Prishtinë. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për vjedhjen që u krye në banesën e deputetit, për të cilën ai fillimisht refuzoi të deklarohej, duke mos u përgjigjur në telefonata e mesazhe. Për rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me ç’rast janë ngritur dyshimet e para se kush mund të jetë personi që ‘avulloi’ këtë shumë marramendëse të parave nga banesa e deputetit.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se personi që deputeti Shkreta po dyshon se ia vodhi mijëra eurot nga banesa është një pastruese me të cilën ka marrëveshje për pastrimin e banesës së tij.

Pse po dyshohet pastruesja dhe çka deklaroi deputeti Shkreta në Polici? Sinjali iu sjellë më poshtë të gjitha detajet e rastit

Kur e zbuloi deputeti se u krye vjedhje në banesën e tij, pasi s’gjeti paratë ku i kishte lënë?

Sinjali mëson se në orët e para të 24 qershorit, me t’u kthyer në banesë, Mirsad Shkreta, e gjeti atë të demoluar, çka e shtyri të mendojë se ishte cak i hajnave, përkundër që dera nuk ishte thyer. Meqë, nuk kishte depërtim brenda banesës me forcë, deputeti ngriti dyshimet se personi që e vodhi, kishte një çelës, që ia mundësoi të vidhte pa ndonjë ‘plan’ të detajuar.

Pse u ngritën dyshimet ndaj pastrueses dhe cilat janë informacionet e para nga hetimi që ka nisur?

Dyshimet ndaj pastrueses u ngritën pasi përveç çiftit, vetëm ajo posedonte një çelës të banesës. Periudha prej gati 16 orësh, sa familja Shkreta s’ishte në banesë, siç duket ia mundësoi të kryejë vjedhjen pa u ngutur.

Deputeti Shkreta ka deklaruar para hetuesve policorë se çelësin që mbante pastruesja kanë pasur marrëveshje që në momentin që kryen punët në banesë, ta lë te sigurimi i objektit dhe ta marrë përsëri ditën tjetër kur shkon të pastrojë.

Por më 23 qershor, siç duket ndodhi ndryshe, pasi Shkreta po dyshon se ajo ‘pastroi’ banesën, duke ia marrë të gjitha paratë që i kishte brenda. Ky informacion i dhënë nga deputeti, aktivizoi organet e rendit, duke i bërë ftesë pastrueses që të paraqitet në stacion policor, për t’u përballur me denoncimin kundër saj.

Cilat janë veprimet tjera hetimore që janë marrë deri më tash?

Vendi i ngjarjes tashmë është ekzaminuar, me ç’rast janë mbledhur prova që do të ndihmojnë të identifikohet personi që hyri me çelës në banesën e deputetit.

Hetuesit policorë kanë marrë edhe gjurmët latente të vijave papilare, pra gjurmët e lëna nga gishtërinjtë e duarve të njeriut, që do të krahasohen më pas dhe do të ndihmojë në ndriçimin e rastit.

Burimet brenda Prokurorisë thonë se edhe pamjet e sigurisë nga objekti do të sigurohen, në mënyrë që të analizohet periudha kur u krye vjedhja dhe detaje të tjera.

Sinjali mëson se çifti Shkreta është intervistuar në Polici dhe kanë dhënë të gjitha informacionet për dyshimet që kanë deri në këto momente.

Deklarimi i Shkretës përmes Facebook-ut dy ditë pasi raportoi Sinjali për vjedhjen

Përmes një statusi në Facebook, Shkreta ka folur për herë të parë për rastin, duke u shprehur se po ndihet i sulmuar nga disa qarqe, të cilat nuk i ka specifikuar.

Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se ky rast nuk ka të bëjë asgjë me deklarimin e pasurisë së tij, teksa pretendon se këtë obligim e ka përmbushur sipas ligjit dhe se është duke u sulmuar padrejtësisht.

Shkreta, në deklarimin e të cilit nuk figurojnë mjetet financiare që pretendon se iu kanë vjedhur, ka thënë se deklarimin e tyre do ta bëjë në mars të vitit 2023.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja që do të zbulohen gjatë hetimit të këtij rasti.

/GazetaSinjali/