image Shkreta për 50 mijë eurot: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe - Sinjali

Shkreta për 50 mijë eurot: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe

news image

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka reaguar lidhur me dyshimin për vjedhjen e 50 mijë eurove që janë bërë ndaj tij dhe familjes më 23 qershor të këtij viti.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kishte bashkëpunuar me policinë për këtë rast duke mos dashtë ta bënte publike rastin.

Sipas tij, kjo nuk u respektua dhe se ai dhe familja e tij po sulmohen padrejtësisht.

“Me 23.06.2022 familja ime ka rënë pre e një vjedhjeje dhe plaçkitjeje në banesën tonë. Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, ka thënë Shkreta.

Shkreta ka shtuar se ai dhe bashkëshortja e tij janë mjekë për një kohë të gjatë, para se ai të bëhej deputet.

“Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre. Vetëm që 1 vit e gjysëm kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë”.

Deputeti ka planifikuar që në deklarimin e pasurisë për këtë vit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e që bëhet në mars të vitit 2023, të fusë shumën e përmendur që iu vodh.

“Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji. Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”.

“Ftoj të gjithë miqtë e qytetarët, por edhe mediat, të jenë sa më bashkëpunues me organet e drejtësisë, ashtu siç bëmë ne kur iniciuam menjëherë rastin, në mënyrë që keqbërësit të kapen e të marrin përgjigjen e duhur, e në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt në një shtet të së drejtës”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin