Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për arrestimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Fushë Kosovë, nën dyshimet për keqtrajtimin e një qytetari. Policët e arrestuar tashmë janë ndaluar për 48 orë, si dhe janë suspenduar nga detyra.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zyrtarët policorë që po dyshohen për këtë rast janë Adhurim Ademi dhe Valon Murati.
Arrestimi i tyre erdhi pas ankesës së një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarët policorë në fjalë.
Ashtu siç raportoi Sinjali, e konfirmoi edhe IPK, se ngjarja ka ndodhur dje në orët e pasdites kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.
Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.