Një kontroll rutinë policor në magjistralen Podujevë–Merdarë ka rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të vogël të substancës së dyshuar narkotike.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 3 qershorit, rreth orës 22:20, kur njësitë intervenuese të Policisë, gjatë patrullimit në afërsi të Qendrës Emergjente të Podujevës, kanë ndaluar për kontroll një veturë të tipit VW Passat.
Sipas burimeve, gjatë anashkalimit të veturës zyrtare policore, zyrtarët kanë vërejtur erë që dyshohej se vinte nga substanca narkotike, çka ka bërë që automjeti të ndalohej menjëherë për kontroll të detajuar.
Gjatë kontrollit të shoferit dhe veturës, policët kanë gjetur një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike, me peshë rreth 0.12 gramë, e fshehur brenda një pakete cigaresh të vendosur mes ulëses së shoferit dhe asaj të pasagjerit.
Burimet bëjnë të ditur se shoferi ishte Ermir Zymeri, ndërsa substanca e dyshuar është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas procedurave fillestare, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!