image Ekskluzive | Babai dorëzon në Polici pistoletën që dyshohet se djali ia drejtoi në ballë nënës në Kaçanik

Ekskluzive

Ekskluzive | Babai dorëzon në Polici pistoletën që dyshohet se djali ia drejtoi në ballë nënës në Kaçanik

news image

Një zhvillim i ri ka dalë nga rasti i dhunës në familje që tronditi Kaçanikun, ku djali dyshohet se kishte sulmuar dhe kërcënuar prindërit e tij. Këtë herë, në Polici është dorëzuar arma me të cilën ai dyshohet se kishte kërcënuar nënën, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 18:00, në Stacionin Policor në Kaçanik është paraqitur I. B. 68 vjeçar, i cili ka dorëzuar një çantë të zezë që kishte gjetur në shtëpinë e tij në rrugën “Qamil Ilazi”.

Sipas deklarimit të tij, pasi e kishte hapur çantën kishte gjetur brenda një pistoletë me ngjyrë të zezë, një thikë me këllëf, ndërsa menjëherë i kishte dërguar në Polici.

Gjatë intervistimit, ai ka deklaruar se bashkëshortja e tij i kishte treguar se dy ditë më parë djali i tyre, J. B. 33 vjeçar, ia kishte drejtuar të njëjtën armë në ballë, duke e kërcënuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se arma, së bashku me një karikator pa fishekë, është sekuestruar si provë materiale.

Lidhur me rastin është intervistuar edhe J. B., i cili aktualisht ndodhet në Qendrën e Mbajtjes për rastin e mëparshëm të sulmit dhe kanosjes ndaj prindërve, por gjatë intervistimit ai ka mohuar se pistoleta ishte e tij.

Me urdhër të Prokurores kujdestare është iniciuar edhe rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar pronësinë e armës dhe rrethanat në të cilat ajo është përdorur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/