Policia e Kosovës ka zbardhur dy raste grabitjeje të ndodhura brenda së njëjtës natë në Prishtinë, duke arrestuar katër të rinj që dyshohen se, nën kërcënimin e thikës, grabitën dy qytetarë në lokacione të ndryshme, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se grabitja e parë kishte ndodhur në orët e para të 11 korrikut, rreth orës 00:20, në parkingun e nje Qendre Tregtare, në rrugën “Fehmi Lladrovci”.
Sipas kallëzimit të viktimës, A. K, 31 vjeçar, disa persona të panjohur e kishin kërcënuar me thikë dhe i kishin marrë rreth 30 euro para të gatshme.
Po atë natë, një tjetër grabitje me të njëjtën mënyrë veprimi është raportuar edhe në rrugën “Lekë Dukagjini”, ku viktimë ka qenë një i mitur me inicialet N.K. 16 vjeçar.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas veprimeve intensive operativo-hetimore të zhvilluara nga hetuesit e Drejtorisë së Policisë për Rajonin e Prishtinës – Stacioni Jugu, janë identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuarit: F.A19 vjeçar, F.A 19 vjeçar, L.K, 20 vjeçar, F.K 19 vjeçar.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me aktvendim të Prokurores së Departamentit për Krime të Rënda, të katërt janë ndaluar për 48 orë.
Hetuesit dyshojnë se grupi mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera me modus operandi të ngjashëm, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre kriminal janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!