Një intervenim policor për një rast të dyshuar të dhunës në familje ka eskaluar në Fushë Kosovë, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë gjatë arrestimit dhe më pas i ka kërcënuar me jetë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e 12 korrikut, rreth orës 17:30, në rrugën “Metush Krasniqi”.
Sipas informacioneve, dy zyrtarët policorë kishin dalë në vendin e ngjarjes pas një raportimi për dhunë në familje. Gjatë tentativës për ta arrestuar të dyshuarin Jorgo Tahiri, 28 vjeçar, ai dyshohet se ka bërë rezistencë aktive, duke i sulmuar policët, të cilët kanë pësuar lëndime trupore.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se edhe pas arrestimit, 28-vjeçari ka vazhduar t’i kërcënojë zyrtarët policorë me fjalë për jetën.
Të gjithë personat e përfshirë janë intervistuar, ndërsa në konsultim me Prokurorin kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”.
Ndërkohë, rasti i dhunës në familje, për të cilin kishte ndërhyrë fillimisht Policia, është regjistruar dhe po trajtohet në një procedurë të veçantë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!