Një mjet i dyshuar shpërthyes është gjetur të dielën në fshatin Keqekollë të Prishtinës, duke bërë që në vendin e ngjarjes të mobilizohen njësitë e specializuara për deminim, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30, pasi një qytetar ka njoftuar Policinë se gjatë punimeve kishte hasur në një mjet të dyshimtë.
Sipas informacioneve, A. A. 21 vjeçar ka deklaruar se ishte duke punuar së bashku me disa punëtorë pranë shtëpisë së tij, kur kanë vërejtur mjetin dhe kanë ndërprerë menjëherë punimet, duke njoftuar Policinë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ndërsa më pas kanë intervenuar edhe ekspertët e Njësisë për Deminim dhe Asgjësim të Mjeteve Shpërthyese (EOD) dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë bërë asgjësimin e kontrolluar të mjetit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas përfundimit të veprimeve në terren dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është mbyllur me raport njoftues.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!