image Prishtinë | Mercedesi godet 16-vjeçaren në vendkalim, pëson frakturë në kokë – shoferi ndalohet për 48 orë

Siguri

Prishtinë | Mercedesi godet 16-vjeçaren në vendkalim, pëson frakturë në kokë – shoferi ndalohet për 48 orë

news image

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së dielës në Prishtinë, ku një 16-vjeçare ka mbetur e lënduar rëndë pasi u godit nga një automjet derisa po kalonte rrugën në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas hetimeve të para, Fjondi Blakqori, 20 vjeçar, duke drejtuar një Mercedes SUV, dyshohet se nuk i dha përparësi këmbësores që po kalonte në zebra, duke e goditur me pjesën e përparme të automjetit.

Përplasja ka qenë e fortë, aq sa 16-vjeçarja është hedhur në ajër dhe më pas ka rënë në asfalt, duke pësuar frakturë në kokë dhe gjakderdhje të brendshme, lëndime të cilat janë cilësuar si të rënda trupore.

E mitura është transportuar me urgjencë për trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë policore dhe hetuesit e trafikut.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj shoferit është iniciuar procedurë për veprat penale “Aksident komunikacioni me lëndime të rënda trupore” dhe “Rrezikimi i trafikut publik”, ndërsa i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/